Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Qendra ACEG nis përgatitjen e fushatës ndërgjegjësuese për menaxhimin e mbetjeve urbane në bashkinë Devoll

Qendra Shqiptare për Qeverisje Mjedisore lehtësoi takimin e rradhës të Grupit Lokal të Punës, i ngritur në kuadër të projektit me anëtarë nga shoqëria civile e administrata e bashkisë Devoll, drejtorët e gjimnazeve të qytetit të Bilishtit dhe njësisë administrative Miras.

Qëllimi i këtij takimi ishte dakortësimi me stafet pedagogjike për planin e ndërgjegjësimit të komunitetit për mbetjet urbane. Takimi i Grupit Lokal të Punës u drejtua nga nënkryetari i bashkisë Ylli Taho i cili i mëshoi rëndësisë që ka edukimi i të rinjve për mbrojtjen e mjedisit. Ai theksoi se edukimi i të rinjve duhet të nisë që në ciklin 9-vjeçar të arsimit për të rritur një brez të ndërgjegjshëm në mbrojtje të natyrës dhe anagazhimit qytetar në ndihmë të komunitetit të tyre.

Në këtë këndvështrim, drejtorët e gjimnazeve Miras dhe Bilisht u zotuan për angazhimin e të rinjve në këtë projekt, duke parë thelbësore që përveç edukimit institucional, përfshirja e të rinjve në projekte të cilat sjellin zhvillimin e komunitetit mbetet një shtyllë thelbësore për të rritur pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e të rinjve në qeverisjen vendore.

Në këtë frymë bashkëpunimi të të gjthë aktorëve lokale, projekti “Ndërtimi i një ure bashkëpunimi mes bashkisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve urbane në Bashkinë Devoll”, po hyn në fazën operacionale ku fushata ndërgjegjësuese me komunitetin, takimet me qytetarët në dyert e çdo shtëpie nga nxënësit e gjimnazeve për tju folur mbi rëndësinë e ndarjes së mbetjevë në burim, do ta pasojnë veprime konkrete në terren siç janë aksionet e pastrimit në të gjitha njësitë administrative.

Projekti “Ndërtimi i një ure bashkëpunimi mes bashkisë, shoqërisë civile dhe qytetarëve për menaxhimin e mbetjeve urbane në Bashkinë Devoll”, mundësohet nga Programi SENiOR-II, i zbatuar nga REC Shqipëri dhe mbështetur financiarisht nga Qeveria Suedeze.

Print Email