Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Lumenj të pastër, det i pastër

Rrjeti “Ekosistemi komunikim informim mjedisor” punon në të gjithë Shqipërinë, për të ndërgjegjësuar komunitetet dhe bashkitë për ndotjen që vjen nga mbetjet urbane, në zonat rurale pranë lumenjve. Nga verifikimet në terren për të përditësuar aplikacionin Trash Out dhe monitorimet e pikave të reja, është konstatuar se ndotja e lumenjve nga mbetjet urbane është mjaft problematike.

Këto fakte, janë evidentuar në një hartë, ku pasqyrohen pikat e nxehta më problematike të ndotjes së lumenjve të ndryshëm përgjatë bashkive të Tiranës, Kamzës, Vlorës, Sarandës, Elbasanit, Gramshit, Fierit, Patosit, Lezhës, Durrësit. Në lumin Tërkuzë, në Zall-Herr janë zhvilluar disa herë aksione pastrimi. Ky lum, i cili përshkon 5 fshatra të Zall-Herrit dhe më pas shkon drejt detit Adriatik është i ndotur që në burim nga hedhjet e plehrave dhe inerteve prej banorëve vendas dhe bizneseve në zonë.

Mbeturinat të cilat ishin depozituar pranë lumit, banorët vendosën ti djegin. Alisa Peçi, koordinatore e projektit është shprehur se: “Situata është problematike, nga njëra anë ka mbetje të hedhura nga komuniteti, nga lokalet dhe bizneset përreth, nga ana tjetër janë ujërat e zeza që derdhen në lum dhe nga lumi shkojnë në bregdetet tona, e cila rrjedhimisht ndikon negativisht në turizmin tonë. Ne si shoqata jemi duke zhvilluar aktivitete sensibilizimi të komunitetit dhe nxitje të NJA Zall Herr, që të marrë masat përkatëse për të mos lejuar më një situatë të tillë”. Ndërsa një nga banoret e njësisë administrative të Zall-Herr-it tha se: “Faji është i banorëve, pasi bashkia i ka sjellë koshat. Mbeturinat pranë lumit i kanë djegur për ti pastruar. Shpresojmë që tani që janë vendosur kosha, të hidhen mbeturinat atje.” Pavarësisht aksioneve të pastrimit që organizata ka zhvilluar, përsëri, po në të njëjtin vend ne shohim që hidhen mbeturina nga banorët apo mbetje nga firma private dhe bizneset e zonës.

Banorët kanë ngritur shqetësimin që ende vazhdojnë të hidhen mbetjet në lumin Tërkuzë, për shkak se ura është shumë e vjetër dhe njerëzit e kanë shumë të vështirë të transportojnë mbetjet nga fshati deri te koshat e mbeturinave, kështu që ata gjejnë si rrugë më të shkurtër për ti hedhur në lum. Organizata po vazhdon ndërgjegjësimin e komunitetit, duke i shpjeguar atyre dëmet shëndetësore që këto mbetje sjellin. Situata është tepër alarmante. Për më tepër informacione mbi situatën e menaxhimit të mbetjeve urbane u interesuam në zyrat e njësisë administrative të Zall-Herrit.

Na drejtuan në zyrën e shërbimeve publike dhe zhvilluam intervistë me përgjegjësin e zyrës z. Xhavit Xhepa. Në lidhje me këtë problematikë, ai u shpreh se: “Njësia administrative ZallHerr ka 11 fshatra, nga të cilët në 5 fshatra kryesore ofrohet shërbimi i pastrimit të mbetjeve urbane. Ndërsa pjesa tjetër janë fshatra kodrinore-malore, me numër të pakët banorësh, me numër të pakët familjesh të cilët i groposin në oborret e tyre. Gjithsej janë vendosur 36 kontenierë në territorin e njësisë administrative. Ende ka nevojë për përmirësim, por pozitive është situata e cila është në përmirësim. Për problemet e hedhjes së mbetjeve në lum nga banorët, ne kërkojmë ndihmën e policisë bashkiake, për shkak të mungesës të infrastrukturës së posaçme që ne kemi për kontroll”.

Problemet e mbetjeve në të gjithë Shqipërinë mund të denoncohen nëpërmjet aplikacionit TrashOut. Ky aplikacion të jep mundësinë që ti ti raportosh mbetjet në kohë reale dhe më pas të nxitet bashkia që të marr masa për pastrimin dhe reduktimin e ndotjes në burim. Ka patur reagime nga ana e njësive administrative, janë vendosur kosha.

Gjithashtu ne si organizata vazhdojmë të sensibilizojmë banorët që të mos hedhin mbeturina në lum por ti çojnë te koshat dhe bashkitë që të tërheqin këto mbetje. Si produkt i monitorimit që ne kemi realizuar kemi evidentuar që nga 51 pika, 47 vazhdojnë ende të jenë problematike, si pika të nxehta dhe vetëm 4 prej tyre janë pastruar. Ende ka punë për të bërë, jo vetëm për pastrimin por edhe për reduktimin e burimit të ndotjes dhe marrja e politikave mjedisore të qëndrueshme në menaxhim.

Projekti u mundësua në kuadër të Programit SENiOR-II, zbatuar nga REC Shqipëri dhe financuar nga Qeveria Suedeze.

Print Email