Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri.

Konferenca për shtyp e organizatave mjedisore

Konferenca për shtyp e organizatave mjedisore: "Për programe të zhvillimit të qëndrueshëm në fushatën e zgjedhjeve të pergjithshme 2017!"

Qëndrim i organizatave mjedisore pas njohjes me mesazhet elektorale të partive politike në zgjedhjet e përgjithshme 2017 30 organizata mjedisore, të shpërndara në të gjithë vendin, po ndjekin me interes në këtë fushatë zgjedhore programet dhe angazhimet e partive politike për zhvillimin e vendit në katër vitet e ardhshme dhe vërejnë se:

• 18 parti politike janë regjistruar për zgjedhjet e përgjithshme. Mbi 70% e këtyre partive akoma nuk kanë bërë publike programet e tyre për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, social dhe kulturor të vendit;

• Ndërkohë, në deklaratat dhe premtimet publike të liderve të këtyre partive, neglizhohen, thujase nuk përmenden fare, politikat mjedisore të cilat udhëheqin vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në linjë me vendet e Bashkimit Evropian;

Si rrjedhojë, shoqatat konstatojnë dhe janë të bindura se:

• Kjo mangësi përbën një rrezik për të ardhmen që ne duam dhe për integrimin e vendit dhe qytetarëve shqiptarë në Bashkimin Evropian;

• Zhvillimi i Qëndrueshëm nuk është sfidë teknike, por një politikë zhvillimi e nevojshme, e cila plotëson qëllime të shumëfishta mbi të ardhmen drejt një mbrojtje ekologjike dhe ekonomike e cila respekton standardet bazë të dinjitetit njerëzor, të të drejtave te njeriut dhe të mirëqënies.

Duke qenë se kjo politikë zhvillimi vazhdon të shprehet edhe në angazhimet kaotike të kësaj fushate, ku zgjidhjet vijnë nga lart pa u diskutuar dhe mobilizuar përvojat nga poshtë, politikë që kërkon pasurim të shpejtë dhe ku të mundet, 30 organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje partive politike:

1. Të bëjnë publike sa më shpejtë programet e tyre elektorale, duke siguruar transparencë dhe duke i ofruar qytetarëve shqiptarë alternativa të argumentuara zgjedhjeje për të merituar votën e tyre;

2. Të përfshijnë në programet e tyre politika për një qeverisje miqësore me mjedisin, duke integruar elementët e zhvillimit të qëndrueshëm;

3. Të garantojnë pjesëmarrjen e aktorëve të interesit në vendimmarrje, në përputhje me interesat kombëtare dhe në respekt të ligjeve të vendit si edhe të të gjitha konventave ndërkombëtare ku Shqipëria është palë.

Ky aktivitet realizohet nga rrjeti Ekosistemi i Komunikimit Informimit Mjedisor - ECIM dhe Qendra "Grupimi Ekolevizja" në kuadër të projektit: “Informim-Komunikimi mbi politikat mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm”, si pjesë e programit SENiOR - II Seniorii Albania, i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit REC Shqipëri me mbështetjen financiare të Qeverisë Suedeze Embassy of Sweden in Tirana.

Print Email