Raport i shpejtë vlerësimi pas përmbytjes së shkaktuar nga lumi Vjosë - shkurt 2015

Written by SENIOR-A on .

Në periudhën 31 janar – 5 shkurt 2015, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut (>200 mm shi për 24 orë), lumenjtë në pjesën jug-perëndimore të vendit dolën nga shtretërit e tyre duke shkaktuar përmbytje masive në Qarkun e Fierit, të Vlorës dhe të Beratit. Përmbytjet ishin më të theksuara në zonën fushore dhe në deltën e lumit Vjosë, ku mbi 17.000 ha tokë u mbulua nga uji në një lartësi që në disa vende shkonte deri në 3 metra. Kjo ngjarje shënoi nivelin më të lartë historik të nivelit të ujit në Vjosë në 900 cm pranë Përmetit.

Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, duke marrë shkas nga kjo përmbytje, ndërmorri nismën e hartimit të një raporti të shpejtë vlerësues të gjendjes.

Raporti kishte si qëllim të identifikojë, në mënyrë të shpejtë, disa nga pasojat e përmbytjes, reagimin qytetar dhe çështjet që çuan në shtrirjen e përmbytjes në shkallën që ajo ndodhi. Në këtë raport jepen disa të dhëna historike, të cilat do mund të shërbejnë për të krahasuar ndodhitë e ndryshme, shkaqet dhe ndryshueshmërinë në pasojat që kanë shkaktuar.

Raporti nuk shërben si një studim shkencor, por më shumë si një dokument profesional për të interesuarit të cilët dëshirojnë të thellohen më tej në vlerësimin e gjendjes dhe të masave që duhen marrë në të ardhmen.

Për përgatitjen e këtij raporti u angazhuan ekspertët Molnar Kolaneci dhe Xhemal Mato, me ndihmën e Eduart Cani, në kuadër të programit SENiOR-A “Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri”.

Puna u përqëndrua në dy drejtime: puna në terren që konsistoi në hetimin e zonës së përmbytur në bazë të dokumentacionit vizual dhe audiovizual; dhe puna në zyrë, e fokusuar në interpretimin e fakteve dhe të imazheve, në hartimin e raportit dhe në ndërtimin e materialeve informative fakt-nxjerrëse.

Raportin e plotë në formatin elektronik dhe videon shoqëruese e gjeni në faqen e REC Shqipëri http://albania.rec.org