Mjedisi Sot 146 – Horizont i gjelbër për një administrim të ri

Written by SENIOR-A on .

MS146-webKy numër i revistës Mjedisi Sot 146 i dedikohet zgjedhjeve lokale dhe përfshirjes së alternativave mjedisore në programet e kandidatëve të rinj për kryetar bashkie. 

“…Këto problematika kërkojnë medoemos një drejtues lider, që shikon përtej të sotmes dhe ka një plan zhvillimi të qartë shumëvjeçar, të cilin duhet ta përmbushin administratat ndër vite. Ai/ajo duhet t’i tregojë qytetarëve të vet horizontin e largët dhe të angazhohet me seriozitet që së bashku me ta të mund të vendosin pllakat e para të rrugës drejt atij horizonti. Suksesi i administratave të reja nuk do të mund të matet në një dekadë, por dështimi do të duket menjëherë…” Kjo pjesë është shkëputur nga shkrimi kryesor i temës së këtij numri, e cila i kushtohet përfshirjes së politikave të gjelbra në qeverisjen e re administrative, për një alternativë më të mirë zhvillimi ekonomik e social të vendit tonë, në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor.

Ndër shkrimet kryesore në këtë numër, përmendim “Gjelbërimi i zgjedhjeve dhe politika e gjelbër në zgjedhjet që po afrojnë” përgatitur nga z. Xhemal Mato, referuar fushatës së 2007-ës për “gjelbërimin e zgjedhjeve lokale”. Në shkrim pasqyrohet puna e bërë nga shoqëria civile në atë kohë për përfshirjen e elementëve të mjedisit në programet elektorale të kandidatëve, duke i sjellë rezultatet e atëhershme si një këshillë për kandidatët e sotëm. Ndërkohë që opinionet e tre anëtarëve të Këshillave Bashkiakë të Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës, për një njësi vendore promjedisore...vijnë si një sugjerim për kandidatët e rinj për kryetarë bashkie.

Në rubrikën e aktualitetit ze vënd skandali me mbetjet farmaceutike të hedhura pranë liqenit të Bovillës dhe prezantimi i Planit të Veprimit për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike i Bashkisë së Tiranës, lidhur me përmbytjet dhe valët e të nxhetit.

Ndër aktivitetet e REC, në këtë numër është pasqyruar 25 vjetori i Qendrës Rajonale të Mjedisit, i cili shënon një moment shumë të rëndësishëm historik në jetën e organizatës dhe të ardhmen e saj.

Në lajmet nga bota një vend i vecantë i është kushtuar “Road to Paris 2015” – Konferenca për Ndryshimet e klimës, ku shkencëtarët i bëjnë thirrje udhëheqësve të shteteve në mbarë botën që, në bisedimet që do të zhvillohen në Paris në maj 2015, të firmosin planin e veprimit, prej tetë pikash, për ndryshimet klimatike.