Forum rajonal i organizatave të shoqërisë civile për shndërrimin e sfidave rajonale në mundësi

Written by SENIOR-A on .

forumi-durres 1024x585REC është duke zbatuar një sërë projektesh në vendet e Evropës Juglindore, në mbështetje te organizatave të shoqërisë civile që synojnë forcimin e tyre institucional në adresimin e sfidave kryesore mjedisore të rajonit, në drejtim të forcimit të kapaciteteve dhe të gatishmërisë në procesin e integrimit në BE. REC mbështet fuqimisht aktivitete që janë përqëndruar në mundësitë e realizimit të projekteve të suksesshme për menaxhimin e ujit, biodiversitetin dhe zonat e mbrojtura ndërkufitare, etj. 

Në këtë kuadër ishte dhe Forumi rajonal i organizatave të shoqërise civile për shndërrimin e sfidave rajonale në mundësi, i cili u zhvillua përgjatë dy ditëve, 12-13 maj 2015, në qytetin e Durrësit, me pjesëmarrjen e OJF-ve nga rajoni (Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Kroacia, Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria).
Qëllimi kryesor i forumit ishte adresimi i sfidave që i dalin përpara vendeve të EJL-së dhe diskutimi i mundësive lidhur me kontributin e OJF-ve në menaxhimin ndërkufitar të burimeve natyrore dhe ndryshimet klimatike.

Fjala e hapjes u mbajt nga z. Mihallaq Qirjo, drejtori i REC Shqipëri, si organizata mikpritëse e këtij aktiviteti, i cili iu uroi të pranishmëve mirëseardhjen dhe i falenderoi për gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në diskutime të këtij niveli. Takimi u përshëndet dhe nga Drejtoresh rajonale e REC për EJL-në, znj. Gordana Kozuharova. Në fjalën e saj ajo bëri një prezantim të shkurtër të ndikimeve si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe nismat që REC ka ndërmarrë e po zbaton në lidhje me këtë problem global. Si një prej këtyre praktikave të suksesshme përmendim menaxhimin e integruar të burimeve të lumenjve Drini e Drina, në kuadër të ENVSEC.

Përfaqësuesit e organizatave mjedisore pjesëmarrëse sollën raste të ndryshme nga rajoni mbi bashkëpunimin e komuniteteve dhe OJF-ve mjedisore në kuadër të projekteve ndërkufitare. Pjesëmarrësit nga Maqedonia prezantuan eksperiencën e tyre në planet e menaxhimit të baseneve lumore në vendin e tyre. Përfaqësuesi i organizatës maqedonase “Eco Gurilla”, z. Arianit Xhaferi, u ndal në problemet mjedisore me të cilat ndeshet qyteti i Tetovës, si rezultat i ndotjes që shkaktojnë bizneset që nuk zbatojnë ligjin e shkarkojnë ndotjet e tyre në mjedis, duke ndikuar ndjeshëm në cilësinë e jetës së qytetarëve. Ndërsa përfaqësuesja e zyrës së REC ne Serbi, znj. Ivana Tomasevic, beri prezantimin e nje simulimi mbi efektin e ndryshimeve te klimes, të përgatitur në bashkëpunim me një numër OJF-sh mjedisore në Serbi.
4 organizata të tjera mjedisore sollën qasjet e tyre në lidhje me trajtimin e cështjes së ndryshimeve klimatike në vendet e tyre dhe mjetet që ata kanë përdorur për përballimin e situatave të krijuara. Z. Boris Jokic, nga OJF “Eko Element” në Bosnje-Hercegovinë, solli përvojën e tij në lidhje me monitorimin e burimeve ujore dhe ndikimin që ndryshimet klimatike kanë mbi këto burime. Znj. Ermelinda Mahmutaj, nga Qendra EDEN në Shqipëri, paraqiti eksperiencën e rrjetit “Një sy për mjedisin” në lidhje me vigjilencën mjedisore për problemet dhe cështjet që kanë të bëjnë edhe me ndryshimet e klimës. Përfaqësuesja e organizatës “Green Home” nga Mali i Zi, znj. Azra Vukovic, prezantoi projektet që kjo organizatë ka pasur në lidhje me eficiencën e energjisë në Malin e Zi.

Më pas, programi i aktivitetit vijoi me prezantime dhe diskutime në grup, si një mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e partnerëve për zbatimin e projekteve rajonale.

Takimi u organizua në kuadër të programit "Mbështetje për Organizatat e Shoqërisë Civile në fushën e Mjedisit në Shqipëri (SENiOR-A)", zbatuar nga REC SHqipëri me mbështetjen financiare nga Qeveria Suedeze (SWEDEN).