Subjektet shëndetësore dhe shoqëria civile bashkëpunojnë për të përmirësuar administrimin e mbetjeve spitalore

Written by SENIOR-A on .

Gjate vendosjes se posterave EDENNjoftim për shtyp, Qendra EDEN Tiranë 


Rrjeti i vigjilencës mjedisore „Një sy për mjedisin“ nis fushatën ndërgjegjësuese dhe informuese „Së bashku të marrim përsipër përgjegjësitë!“ për administrimin e mbetjeve spitalore në mjediset e subjekteve prodhuese. Kjo fushatë zbatohet në bashkëpunim me spitalet dhe subjektet private në 6 qytete të vendit - Vlorë, Berat, Elbasan, Shkodër, Fushë - Krujë dhe Tiranë.

Fushata ka për qëllim të asistojë subjektet prodhuese në zbatimin e duhur të rregullores për administrimin e mbetjeve spitalore, duke përcjellë informacion mbi ndarjen e diferencuar të mbetjeve spitalore, mbi rrezikshmërinë që sjell menaxhimi jo i drejtë i tyre dhe të ndikojë në rritjen e përgjegjshmërisë nga subjektet prodhuese dhe qytetarët. 

Ky informacion bëhet i dukshëm dhe i aksesueshëm për të gjithë punonjësit e spitaleve/klinikave etj., nëpërmjet vendosjes së posterave informues në mjediset e këtyre të fundit. Kjo do të ndihmojë shumë në orientimin e duhur të personelit përgjegjës në spitale për administrimin sa më të mirë të kësaj kategorie mbetjesh, si dhe do të informojë qytetarët në mënyrë që ata të mund të raportojnë/denoncojnë raste të shkeljes së rregullave të administrimit. 

Posterat informativë kanë dy fokuse të ndryshme: a) Cilat janë përgjegjshmëritë për të cilat spitali angazhohet, sipas ligjit dhe rregullores, në administrimin e mbetjeve spitalore që prodhon b) Ndarja e mbetjeve spitalore sipas rrezikshmërisë së tyre në bazë të kodit të ngjyrave. Në këtë mënyrë duam të tregojmë se si sjellja e duhur e secilit prej nesh ndikon në hallkat e mëtejshme të administrimit të mirë të mbetjeve spitalore. 

Element tjetër i fushatës janë diskutimet e hapura mbi problemin e administrimit, perceptimin më të mirë të tij dhe hapat e mëtejshëm, të cilat do të zhvillohen me personelin e subjekteve prodhuese, grupe të ndryshme interesi dhe qytetarë. Në bazë kërkese gjithashtu, organizatat e rrjetit do të asistojnë në kohë personelin për kuptimin dhe zbatimin më të mirë të rregullores dhe informacionit të posterave. 

Kjo fushatë vjen si vijimësi e punës dy ( 2) vjecare mbi mbetjet spitalore të kryer nga organizatat e rrjetit të vigjilencës mjedisore. Gjatë kësaj kohe organizatat kanë monitoruar me profesionalizëm situatën për administrimin e mbetjeve spitalore në qytetet e tyre, kanë realizuar takime me subjektet prodhuese dhe ato trajtuese, kanë bashkëpunuar me median, kanë zhvilluar takime dhe tryeza diskutimi me institucionet inspektuese, kanë lobuar në Ministritë përkatëse për reagim në përmirësim të situatës etj. Për më shumë rreth administrimit aktual të mbetjeve spitalore në vend dhe punës së bërë deri tani mund të lexoni raportin: „Raport tregues vlerësimi mbi menaxhimin e mbetjeve spitalore në 5 qytete të vendit“ http://eden-al.org/OldWeb/media/Raport%20Vlersimi_mbetjet%20spitalore.pdf 

E gjithë kjo nismë mbështetet finaciarisht nga nga programi "Mbështetje për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile në Shqipëri 2012-2015, SENiOR-A", i cili zbatohet nga Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri dhe financohet nga Qeveria Suedeze.