Shqipëri - Mali i Zi: SENiOR-A nxit bashkëpunimin rajonal

Written by SENIOR-A on .

IMG 2499Mjedisi dhe mbrojtja e tij janë një çështje e mprehtë për të gjithë vendet e Ballkanit. Megjithatë, shumë nga çështjet mjedisore i kalojnë kufijtë kombëtarë dhe kërkojnë angazhim të përbashkët të strukturave të shoqërisë civile nga vendet fqinje. Pikërisht, rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit mes vendeve fqinje adreson programi SENiOR-A, i cili ka për qëllim të nxisë dialogun, bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve ndërkufitare në fushën e mjedisit nga organizatat e shoqërisë civile në Ballkan. Në këtë kuadër janë parashikuar një sërë takimesh të ndryshme me Organizatat e Shoqërisë Civile të vendeve fqinje, që synojnë të rrisin shkëmbimin e përvojave dhe të aktiviteteve të përbashkëta.

Në këtë kontekst, gjatë muajit tetor u mbajt në Budva, Mali i Zi, një takim i përbashkët mes organizatave jofitimprurëse mjedisore të Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Takimi bashkoi në një tryezë të rrumbullakët përfaqësuesit e mbi 25 organizatave mjedisore shqiptare, pjesë e 4 rrjeteve mjedisore të ngritura në kuadër të këtij programi dhe 8 organizatave malazeze që vinin nga zona të ndryshme të vendit e që kanë në fokus të punës së tyre tematika të ndryshme mjedisore.

Takimi ishte një mundësi për të njohur partnerët dhe pjesëmarrësit me punën e bërë gjatë 2 viteve të fundit në fushat e tyre përkatëse. Organizatat shqiptare, të ndara sipas tematikës së rrjeteve mjedisore që ato përfaqësonin, u bashkuan me organizatat malazeze dhe diskutuan gjerësisht mbi mundësitë dhe nismat për aktivitete të përbashkëta që prekin çështje në interes të rajonit.

Gjatë diskutimeve të hapura theksi u vendos te aktivitetet në vazhdim, rritja e shikueshmërisë së rrjeteve dhe e programit në tërësi përmes përdorimit më të mirë të mediave, ndërkohë që u diskutuan aspekte konkrete të bashkëpunimit dhe të mbështetjes nga aktorët shtetërorë.