Shoqëria Civile dhe Qeveria: Forum për energjinë e rinovueshme

Written by SENIOR-A on .

IMG 3245 800x533Gjatë dy viteve të fundit, në kuadër të zhvillimeve në fushën e energjisë, janë hartuar një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore, të cilat kanë kornizën e vjetër ligjore duke përafruar dhe një pjesë të Acquis Communitaire në lidhje me këtë sektor. Megjithatë shumë nga këto akte akoma nuk janë të njohura aq sa duhet nga shoqëria civile dhe publiku i gjerë (konsumatori). Në këtë drejtim, Ministria e Energjisë dhe Industrisë është e interesuar që të njohë opinionet e shoqërisë civile në lidhje me këto akte ligjore dhe pasojat që ato mund të kenë me mjedisin.

Për të ndihmuar në ndarjen dhe përçimin e informacionit mbi këto procese, si dhe për të mundësuar një artikulim më të plotë dhe të qartë të shqetësimeve të sektorit, Qendra Rajonale e Mjedisit (REC) Shqipëri, në bashkëpunim dhe me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë zhvilloi një Forum Diskutimi me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Organizatave të Shoqërisë Civile për Mjedisin, të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, të institucioneve akademike dhe aktorë të tjerë të interesuar.

Legjislacioni i ri për eficiencën e energjisë dhe energjitë e rinovueshme dhe krijimi i një fondi kombëtar për eficiencën e energjisë ishin temat kryesore të takimit, përmes shkëmbimit të informacionit mbi punën e bërë deri më tani nga Ministria dhe diskutimit të hapur mes pjesëmarrësve për përmirësime të mëtejshme.

Z. Gjergj Simaku, drejtor në Drejtorinë e Burimeve Energjetike të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë, ndër të tjera, theksoi se, në kuadër të përafrimit të EU Acquis, Qeverisë Shqiptare i del për detyrë të arrijë targete ambicioze si për energjitë e rinovueshme dhe për eficiencën e energjisë. Deri më tani akoma nuk është bërë aq sa duhet për arritjen e këtyre objektivave. Shqipëria ende nuk ka shfrytëzur plotësisht potencialet e saj për energjinë e rinovueshme, sidomos në drejtim të energjisë diellore, asaj eolike dhe biokarburantet.

Z. Arben Mithi, specialist Drejtorinë e Burimeve Energjetike të Rinovueshme dhe Efiçencës së Energjisë, paraqiti idenë e krijimit të një fondi kombëtar për eficiencën e energjisë, i cili do të adresonte disa nga nevojat që ka ky sektor.

Krijimi i një fondi mjedisor ka qenë gjithmonë në kërkesat e shoqërisë civile për t’u marrë në konsideratë nga qeverisja qendrore. Në këtë kuadër, z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i REC Shqipëri, në diskutimin e tij kërkoi që Ministria të marrë parasysh mundësinë e përfshirjes së shoqërisë civile në këtë fond, qoftë si palë kontribuese apo si përfituese nga fondi. Nga ana tjetër, shoqëria civile, nevojitet të kualifikohet që në momentin e duhur, që të mund të përfitojë nga fondet për eficiencën e energjisë.

Takimi u zhvillua në kuadër të programit SENiOR-A -  Mbështetje për organizatat mjedisore të shoqërisë civile në Shqipëri, si pjesë e Paketës së Punës numër 4 - Shkëmbimi i Përvojës dhe Promovimi i OShCve në fushën e mjedisit, mbështetur nga Qeveria Suedeze (SWEDEN).