Organizimi i nismës "ta pastrojmë shqipërinë në një ditë"

Written by SENIOR-A on .

ushtaret

Në kuadër të misionit që kanë Qendrat e Informacionit Aarhus në Shqipëri lidhur me implementimin e Konventës së Aarhusit dhe të promovimit të një mjedisi sa më të mirëqenshëm, Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër iu përgjigj nismës së GreenLine “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” me datë 22 nëntor dhe mori përsipër, në mënyrë vullnetare, rolin e koordinatorit lokal të aktivitetit dhe të organizimit të shoqërisë civile për pastrimin e qytetit të Shkodrës. Gjithashtu, për të mbështetur njësitë e qeverisjes vendore në realizimin e kësaj nisme, AIC Shkodër u bë pjesë e shtabit të përgjithshëm të Prefekturës Shkodër si përfaqësuese e shoqërisë civile duke kontribuuar në hartimin e një plani pune, duke identifikuar zonat më të nxehta me mbetje urbane (legale dhe ilegale) në rrethin e Shkodrës, duke përcaktuar aktorët lokalë që mund të na mbështesnin gjatë aktivitetit dhe duke u përfshirë konkretisht në aksionin e pastrimit të Shkodrës. Për një organizim sa më të mirë të punës, aktorët e përfshirë në këtë aktivitet u ndanë në 3 target grupe: - Shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme të rrethit të Shkodrës; - Shoqëria civile, organizatat jo fitimprurëse, qytetarët, bizneset private; - Institucionet publike dhe drejtoritë e ndryshme publike të Qarkut Shkodër. Secilit nga këto grupe iu përcaktuan për pastrim zona të ndryshme të rrethit Shkodër në mënyrë që të kishim një mbulim sa më të madh të territorit dhe një impakt sa më të madh sensibilizues në popull. Në përfundim të këtij aktiviteti mund të themi që në realizimin e tij pati një pjesëmarrje shumë të gjërë të aktorëve të ndryshëm dhe rezultate konkrete në pastrimin e qytetit. Për të patur një ide sa më të qartë mbi punën e realizuar po ilustrojmë disa rezultate: - Morën pjesë rreth 800 nxënës dhe mësues të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme shtetërore të rrethit Shkodër duke mbledhur rreth 400 thasë me mbetje rreth e rrotull zonës apo lagjeve ku shkollat ndodhen. Gjithashtu, “Medreseja e Djemve” në Shkodër ka vepruar duke pastruar pedonalen e Urës së Bunës pranë lumit Buna. - Morën pjesë rreth 200 punonjës të institucioneve publike si Drejtoria e Bujqësisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Drejtoria Rajonale e Shëndetit publik, Drejtoria e Pyjeve etj. duke grumbulluar më shumë se 300 thasë mbetje në afërsi të insititucioneve të tyre. Ndërsa ARM Shkodër, me stafin e saj, ka vepruar në lulishten e Pazarit të vjetër dhe në lagjen Kiras pranë shkollës Veterinare duke hequr jo vetëm mbetje urbane por edhe ato inerte. Kurse Bashkia Shkodër, gjatë kësaj dite, vuri në dispozicion gjatë gjithë ditës shërbimin e pastrimit urban për të boshatisur koshat nga mbetjet e grumbulluara. - Mori pjesë ushtria me mbi 50 trupa duke grumbulluar 2 kamionë me mbetje urbane dhe të ngurta në Urën e Bahçallëkut në hyrje të Shkodrës pranë lumit Drin. - Morën pjesë më shumë se 8 organizata jo fitimprurëse me stafin e tyre duke grumbulluar më shumë se 250 thasë mbetje dhe duke vepruar në Komunën Rrethina, në Fshatin Oblikë, në lagjen Skënderbeg, në lagjen RUS, etj. - Mori pjesë Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër bashkë me shoqërinë civile, studentët, nxënës të shkollave private, vullnetarë ambjentalistë dhe stafi i SIGAL (rreth 70 individë) duke pastruar shatërvanin e Shkodrës, zonën tek Xhamia e Parrucës, Tregun e Zdrales, lulishten në Zdrale, rrugën e gjërë tregtare, sheshin e Teatrit Migjeni, rreth e rrotull Xhamisë së Madhe në Piacë, dhe tek lulishtja pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës duke mbledhur, kështu, mbi 150 thase mbetje urbane. - Mori pjesë Prefektura Shkodër e cila pati një rol shumë të rëndësishën gjatë kësaj veprimtarie duke pastruar dhe sheshuar tonelata të pamatshme mbetjesh në ish vend-depozitimin e mbetjeve të qytetit të Shkodrës (tek Varrezat e Dëshmorëve) dhe vend-depozitimin ilegal të mbetjeve pranë By-passit të Shkodrës. Është për t’u përgëzuar fakti që atë ditë Landfilli i Bushatit vuri në dispozicion gratis grumbullimin e këtyre mbetjeve falë ndërhyrjes së Prefektit të Shkodrës, Z. Paulin Radovani. Pavarësisht se gjatë kësaj veprimtarie u bë shumë punë dhe u pastruan shumë zona të nxehta të qytetit të Shkodrës, data 22 nëntor shërbeu si një ditë simbolike, më shumë për t’i bërë thirrje popullit shkodran ashtu si dhe institucioneve përkatëse që mjedisi ka nevojë për NE, që duhet të konsiderojmë më shumë rëndësinë e tij dhe se të gjithë duhet të kontribuojmë në përmirësimin e tij. Për të përforcuar më shumë këtë thirrje, Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër bashkë me Sekretaren e Përgjithshme të Prefekturës Shkodër, Znj. Felek Kasimi, morën pjesë në një emision televiziv lokal në të cilin u pasqyruan aktivitetet e datës 22 nëntor por edhe u transmetua fort fakti që mjedisi është një faktor kyç drejt përmirësimit dhe zhvillimit të vendit tonë ashtu si drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Të sigurtë që kjo nisëm pati efektin e saj si në ndërgjegjësimin qytetar, në punën vullnetare ashtu si dhe në institucionet përgjegjëse për çështjet mjedisore, Qendra e Informacionit Aarhus Shkodër do të vazhdojë të ndërmarrë nisma të tjera të tilla dhe do të vazhdojë të mbështesë Njësitë e Qeverisjes Vendore për veprimtari me objektiv mirëqënien mjedisore.