Dita Verës, Parku Kombëtar Prespë

Written by SENIOR-A on .

prespa

Në kuadër të mbylljes së aktiviteteve të këtij viti, të programit SENiOR-A, i financuar nga qeveria Suedeze dhe mbështetur nga REC, Rrjeti për Mbrojtjen e Natyrës, zgjodhi javën e dytë të dhjetorit për të organizuar festën e Verës e cila tashmë është një traditë në zonën e Prespës. Kjo për të promovuar nëpërmjet shoqërisë civile dhe risjellë në vëmendjen e autoriteteve, por edhe turistëve, vlerat kulturore dhe mbi të gjitha natyrore të kësaj zonë sidomos në stinën e dimrit. Aktiviteti vendosi theksin mbi traditën e larmishme që mbart zona dhe komuniteti i Parkut Kombëtar Prespë, ruajtjen e qëndrueshme të këtyre vlerave kulturore dhe natyrore dhe promovimin e tyre në vazhdim. Festa u organizua në formën e një konkursi vere, në ambientet e jashtme të godinës së Parkut Kombëtar Prespë, me verën e re të cilën prodhuesit e zonës e nxjerrin nga fuçitë për ta përdorur gjatë dimrit, me pjesmarrjen e grupeve artistike dhe një panairi me prodhimet tradicionale të zonës. Në festë morrën pjesë përfaqësues nga pushteti vendor, administrata e parkut, përfaqësues nga donatorët dhe partnerët e parkut, mediat, përfaqësues të secilës organizatë të rrjetit dhe sigurisht banorë të zonës. Prodhuesit e verës së zonës përpara konkusit sollën verën e cila u hodh në shishe me etiketa dhe numra, ku secili numër i përkiste një emri të prodhuesit që merrte pjesë në konkurs, numër ky i përcaktuar në mënyre anonime nga përsona jashtë jurisë. Njëkohësisht përpara fillimit të aktivitetit u përcaktua juria prej 5 vetash (me antarë nga shoqëria civile, pushteti vendor, përfaqësues të komunitetit dhe administratës së parkut). Aktivieti u hap rreth orës 11:00 me fjalën përshëndetëse të autoriteteve vendore dhe më pas me performancën e grupeve artisitke nga zona me muzike tradicionale të zonës ndërkohë që juria bënte vlersimin e verërave. Pas vlersimit të jurisë u shpallën tre çmime inkurajuese (vendi i tretë, i dytë dhe i parë) për verërat me cilësinë më të mirë të prodhuara këtë vit në zonë. Pas shpalljes së fituesve, pjesëmarrësit u ftuan të provonin verën dhe ushqimet tradicionale, nën ritmin e muzikës dhe valleve popullore të zonës, festë e cila vazhdoj gjatë.